Autoritetet shëndetësore në Greqi po hetojnë një seri rastesh të infeksionit me salmonelë, të regjistruara kryesisht në rajonin e Larisës, ndërsa burimi i shpërthimit mbetet ende i paidentifikuar.
Sipas raportimeve të mediave greke, deri tani janë konfirmuar zyrtarisht 30 raste të infeksionit, ndërsa 12 persona janë shtruar në spital për trajtim.
Presidenti i Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik të Greqisë (EODY), profesori i pulmonologjisë Theodoros Vasilakopoulos, u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes deri në përfundimin e hetimeve epidemiologjike.
Ai rekomandon që:
- ushqimet, veçanërisht mishi i pulës, të gatuhen plotësisht;
- të shmanget, përkohësisht, konsumimi i mishit të pulës derisa autoritetet të identifikojnë burimin e infeksionit;
- të respektohen rregullat e higjienës gjatë përgatitjes së ushqimit për të shmangur kontaminimin.
Autoritetet shëndetësore vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën e shpërthimit dhe kanë bërë thirrje që qytetarët të ndjekin udhëzimet zyrtare deri në sqarimin e plotë të situatës.
