Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dhënë miratimin që avokatët ndërkombëtarë të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ta takojnë atë në ambientet e paraburgimit.
Sipas burimeve të cituara nga mbrojtja ligjore e Veliajt, vendimi është marrë disa ditë më parë dhe pritet që takimi të zhvillohet në vijim.
Mbrojtja ka bërë të ditur se avokatët ndërkombëtarë kishin paraqitur më herët disa kërkesa për të zhvilluar një takim me klientin e tyre. Sipas tyre, qëllimi është të njihen drejtpërdrejt me çështjen dhe të vlerësojnë nëse gjatë procedurave hetimore apo masës së sigurimit janë cenuar të drejtat e Veliajt.
Sipas mbrojtjes, dokumentacioni që do të mblidhet mund të përdoret edhe në procedura pranë institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, nëse ata vlerësojnë se ka pasur shkelje të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që prej muajit shkurt 2025, në kuadër të procedimeve penale të zhvilluara nga SPAK. Hetimet ndaj tij vijojnë, ndërsa çështja është ende në proces dhe nuk ka një vendim gjyqësor të formës së prerë mbi akuzat.
