GJKKO dënon katër persona për korrupsion zgjedhor, tre prej tyre përfitojnë pezullim të burgimit

Data

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtorë katër të pandehur për vepra penale që lidhen me korrupsionin në zgjedhje.

Vendimi u dha pas zhvillimit të procesit me gjykim të shkurtuar nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Marinela Osmani, Elteva Deda dhe Bib Ndreca.

Ndoc Guri u dënua fillimisht me dy vite burg për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Pas uljes së dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar, masa përfundimtare u caktua në një vit e katër muaj burg. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e tij në provë për dy vite e tetë muaj.

Të njëjtën masë përfundimtare mori edhe Arben Kolaj, i shpallur fajtor për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje. Edhe ndaj tij u vendos pezullimi i burgimit dhe vënia në provë për dy vite e tetë muaj.

Ndrekë Lera u dënua fillimisht me tre vite burg për korrupsion aktiv në zgjedhje, të kryer në bashkëpunim. Pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në dy vite burg, ndërsa ekzekutimi u pezullua dhe ai u vu në provë për katër vite.

Ilir Sokoli u shpall fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje, të kryer në bashkëpunim, dhe u dënua përfundimisht me një vit burg. Gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe zëvendësimin e tij me 120 orë punë në interes publik, që duhet të përmbushen brenda gjashtë muajve pasi vendimi të marrë formë të prerë.

GJKKO urdhëroi gjithashtu kthimin e sendeve të sekuestruara te pronarët e ligjshëm, ndërsa shpenzimet procedurale do të përballohen në mënyrë solidare nga të pandehurit.

Vendimi mund të ankimohet brenda 15 ditëve në Gjykatën e Apelit të Posaçëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related