Shpërthime të fuqishme me origjinë ende të panjohur janë dëgjuar pasditen e së hënës në Iranin jugor, pranë Ngushticës strategjike të Hormuzit.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Mehr, zhurmat e shpërthimeve u raportuan nga banorë dhe media lokale pranë qytetit Bandar Abbas dhe ishullit Qeshm.
Informacionet paraprake sugjerojnë se shpërthimet mund të kenë ardhur nga bregu perëndimor i Bandar Abbasit. Megjithatë, nuk është ende e qartë se çfarë i shkaktoi ato dhe nëse ka pasur viktima apo dëme materiale.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh të larta dhe pas një shkëmbimi të ri sulmesh mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Autoritetet iraniane nuk kanë publikuar ende një deklaratë zyrtare për incidentin. Për këtë arsye, mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një sulm të ri apo për një tjetër lloj incidenti në zonë.
