Në kërkim për trafik emigrantësh drejt SHBA-së, shqiptari pranon ekstradimin nga Anglia

Data

Një 36-vjeçar shqiptar, i kërkuar nga Prokuroria e Tiranës për trafik të paligjshëm emigrantësh drejt Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë, ka pranuar vullnetarisht ekstradimin nga Mbretëria e Bashkuar drejt Shqipërisë.

Sipas dokumenteve të Westminster Magistrates’ Court, të siguruara nga gazetari Muhamed Veliu, Alfred Maçi, banues në Luton, dha pëlqimin për ekstradimin tre ditë më parë.

Prokuroria shqiptare e akuzon Maçin se, gjatë periudhës tetor 2023 – prill 2025, ka qenë pjesë e një grupi kriminal që organizonte kalimin e paligjshëm të shtetasve nga vende të ndryshme të Europës drejt Karaibeve, me destinacion përfundimtar SHBA-në dhe Kanadanë.

Sipas hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim mes Prokurorisë së Tiranës dhe autoriteteve amerikane, përfshirë Diplomatic Security Service (DSS) dhe Homeland Security Investigations (HSI), Alfred Maçi kishte vënë në dispozicion pasaportën e tij britanike, e cila dyshohet se klonohej dhe përdorej për të pajisur emigrantët me dokumente të falsifikuara.

Në pasaportën britanike të Maçit figuron si vendlindje Kosova. Dokumenti ishte lëshuar më 16 mars 2022, me afat vlefshmërie deri në mars 2032. Sipas hetuesve, në pasaportë zëvendësohej fotografia e pronarit me atë të personave që paguanin deri në 35 mijë euro për të hyrë ilegalisht në SHBA ose Kanada.

Hetimet kanë zbuluar se grupi kriminal drejtohej nga Hazir Maçi, i afërm i Alfred Maçit. Sipas dosjes hetimore, të dy bashkëpunuan për të organizuar kalimin e paligjshëm të disa shtetasve shqiptarë drejt Amerikës së Veriut, duke përdorur dokumente të falsifikuara.

Prokuroria pretendon se rrjeti rekrutonte emigrantë në Shqipëri dhe vende të tjera europiane, më pas i dërgonte në Republikën Domenikane dhe prej andej, me dokumente të falsifikuara, drejt Kanadasë ose përmes Porto Rikos në Florida.

Sipas hetimeve, Hazir Maçi vijonte të drejtonte aktivitetin kriminal edhe nga paraburgimi i Fushë-Krujës, duke komunikuar me bashkëpunëtorët përmes telefonave celularë.

Dosja penale tashmë është dërguar për gjykim. Me mbërritjen e Alfred Maçit në Shqipëri, ai pritet t’u bashkohet pesë të pandehurve të tjerë, mes tyre edhe një grua, të cilët akuzohen për falsifikim të dokumenteve të identitetit dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related