Një ngjarje që mund të kishte përfunduar tragjikisht është shmangur falë ndërhyrjes së shpejtë të një vrojtuesi plazhi në Velipojë, i cili arriti t’i shpëtojë jetën një pushuesi 67-vjeçar.
Sipas informacioneve paraprake, i moshuari u nxor nga deti në gjendje kritike, pa puls dhe pa frymëmarrje.
Vrojtuesi i plazhit, Besfort Gjoklaj, reagoi menjëherë duke e nxjerrë nga uji dhe duke i dhënë ndihmën e parë. Ai kreu manovrat e reanimimit kardiopulmonar (CPR), falë të cilave 67-vjeçari rifitoi shenjat jetësore.
Pas stabilizimit fillestar, pushuesi iu dorëzua ekipit të Urgjencës, i cili e transportoi me ambulancë drejt spitalit për trajtim të specializuar.
Ndërhyrja e shpejtë dhe profesionale e vrojtuesit shmangu një tragjedi, duke nxjerrë në pah rëndësinë e pranisë së vrojtuesve të trajnuar në plazhe gjatë sezonit turistik.
