Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “WEST”, duke goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonat turistike të qytetit.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë pesë persona, mes tyre dy shtetas italianë. Sipas Policisë, të dyshuarit transportonin dhe shpërndanin lëndë narkotike në plazhe dhe lokale të Vlorës gjatë sezonit turistik.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 700 doza të lëndëve narkotike të llojeve “Tusi”, “Ketaminë”, “MDMA”, “Kokainë”, “Ekstazi” dhe “Kanabis”, të cilat dyshohet se ishin përgatitur për shitje. Gjithashtu u sekuestruan një shumë parash e dyshuar si e përfituar nga aktiviteti kriminal, si dhe tetë telefona celularë.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ranë shtetasit N.K., 20 vjeç, R.H., 20 vjeç, M.M., 23 vjeç, të tre banues në Lezhë, si dhe shtetasit italianë C.L., 42 vjeç, banues në Romë, dhe C.S., 37 vjeç, banues në Palermo.
Policia bëri të ditur se të dyshuarit u ndaluan në zonën e Zvërnecit, ndërsa kontrollet e ushtruara në automjetin dhe banesën ku qëndronin, në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, çuan në zbulimin dhe sekuestrimin e lëndëve narkotike.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, ndërsa hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të grupit.
