Në Gjykatën e Fierit po zhvillohet këtë të diel seanca për verifikimin e masave të sigurisë ndaj tre vajzave të dyshuara si të përfshira në dhunimin e një 17-vjeçareje, ngjarje që u bë publike përmes rrjeteve sociale.
Para nisjes së seancës, nëna e njërës prej vajzave 15-vjeçare deklaroi se e bija ndodhet e shtruar në një spital psikiatrik, ku po merr trajtim mjekësor. Ajo tha se familja kishte kërkuar prej kohësh ndihmë për problemet e vajzës, duke pretenduar se ishte drejtuar në shkollë dhe më pas në institucionet arsimore, por pa marrë mbështetjen e nevojshme.
Sipas saj, e mitura nuk arriti të përshtatej as në një shkollë private, pasi ndihej e bullizuar. Nëna shtoi se aktualisht nuk është informuar plotësisht për diagnozën apo trajtimin që po merr vajza dhe kërkoi që ajo të marrë kujdesin e nevojshëm shëndetësor.
Në seancën gjyqësore janë paraqitur 19-vjeçarja Lionela Lamaj dhe dy vajzat 15-vjeçare, të cilat do të njihen me vendimin e gjykatës për vijimin e masave të sigurisë.
Lionela Lamaj është arrestuar me kërkesë të Prokurorisë, nën dyshimin për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, ndërsa dy të miturat po hetohen në kuadër të të njëjtit procedim penal.
Për shkak se në çështje janë të përfshirë të mitur, autoritetet kanë kërkuar respektimin e privatësisë së tyre dhe shmangien e publikimit të të dhënave që mund të çojnë në identifikimin e tyre.
