Gjykata ka dhënë vendimin për 19 qytetarët e arrestuar gjatë protestës kundër qeverisë, duke rrëzuar në pjesën më të madhe kërkesat e Prokurorisë për masa më të rënda sigurie. Pas një seance që zgjati disa orë, shumica e të ndaluarve u lanë të lirë me masa më të lehta, ndërsa vetëm dy prej tyre do të qëndrojnë në arrest shtëpiak.
Sipas avokatit mbrojtës, Prokuroria fillimisht kishte kërkuar masën “arrest me burg” për tre persona, ndërsa më pas ndryshoi qëndrimin duke kërkuar “arrest në shtëpi” për njërin prej tyre. Për pjesën tjetër u kërkua masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Në përfundim, gjykata vendosi që shtetasit me mbiemrat Bardhi dhe Gega të hetohen në masën “arrest në shtëpi”, ndërsa të gjithë protestuesit e tjerë u lanë me masën “detyrim paraqitje”, me detyrimin për t’u paraqitur periodikisht pranë autoriteteve, sipas afateve të përcaktuara nga gjykata.
Avokatët mbrojtës e cilësuan vendimin një fitore të pjesshme, duke këmbëngulur se arrestimet ishin të motivuara politikisht dhe të kryera në kundërshtim me ligjin.
“Gjykata e konsideroi arrestimin të ligjshëm në parim për efekt procedure, por në këndvështrimin tonë profesional dhe kushtetues, për shumicën dërrmuese të këtyre të rinjve arrestimi ishte plotësisht i paligjshëm dhe pa asnjë provë konkrete,” u shpreh një prej avokatëve pas përfundimit të seancës.
Çështja pritet të vijojë në fazën e hetimeve, ndërsa mbrojtja ka paralajmëruar se do të kundërshtojë ligjshmërinë e arrestimeve dhe procedurave të ndjekura nga organet ligjzbatuese.
