Tragjedi në Vietnam/ Përmbyset motoskafi me turistë indianë, 15 të vdekur dhe 21 të shpëtuar

Data

Një aksident tragjik detar ka ndodhur pranë ishullit turistik Phu Quoc, në jug të Vietnamit, ku të paktën 15 turistë indianë kanë humbur jetën pasi motoskafi me të cilin udhëtonin u përmbys vetëm pak qindra metra larg bregut. Autoritetet vietnameze konfirmuan se në bord ndodheshin 32 turistë indianë dhe katër anëtarë të ekuipazhit.

Sipas autoriteteve, deri më tani janë shpëtuar 21 persona, të cilët janë transportuar në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit kanë përfunduar me nxjerrjen e të gjitha viktimave nga uji.

Ngjarja ndodhi pasi motoskafi ishte nisur nga ishulli Hon May Rut Ngoai dhe po kthehej drejt Portit Ndërkombëtar An Thoi, kur u përmbys rreth 400 metra larg bregut. Dëshmitarët thanë se anijet që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes mbërritën të parat për të ndihmuar pasagjerët, përpara se në zonë të angazhoheshin roja bregdetare, marina dhe ekipet e emergjencës.

Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Autoritetet vietnameze kanë nisur një hetim për të përcaktuar nëse tragjedia u shkaktua nga kushtet e motit, dallgët e forta apo një defekt teknik në mjetin lundrues.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related