Gjatë grumbullimit të qytetarëve në Sheshin “Skënderbej” për protestën e 41-të kundër qeverisë, një i moshuar pjesëmarrës shprehu pakënaqësinë për situatën ekonomike dhe nivelin e pensioneve.
Ai deklaroi se pensioni që përfiton nuk i mjafton për të përballuar jetesën dhe se, sipas tij, vendi nuk do të njohë zhvillim pa ndryshime politike.
“Pensioni nuk më del për të jetuar. Nuk është vetëm problemi i pensionit, por mungesa e zhvillimit. Pa u larguar Rama, ky popull nuk do të ketë të mira,” u shpreh ai.
I moshuari shtoi se, sipas bindjes së tij, qytetarët duhet të vazhdojnë të protestojnë për të kërkuar ndryshim, ndërsa u shpreh se protesta duhet të jetë më e vendosur.
Protesta e 41-të qytetare ka nisur me grumbullimin e pjesëmarrësve në Sheshin “Skënderbej”, nga ku pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë. Protestuesit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si edhe ndryshime në klasën politike dhe politika që, sipas tyre, adresojnë më mirë shqetësimet ekonomike dhe sociale të qytetarëve.
