Ka nisur grumbullimi i qytetarëve në Sheshin “Skënderbej”, ku po organizohet protesta e 41-të kundër qeverisë. Pas tubimit në shesh, protestuesit pritet të marshojnë drejt godinës së Kryeministrisë, ku do të zhvillohet protesta kryesore.
Pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si edhe ndryshimin e klasës politike, duke theksuar nevojën për reforma dhe përgjegjësi më të madhe nga drejtuesit e vendit.
Lëvizja protestuese, e cila nisi si reagim ndaj projektit të zhvillimit në zonën e Zvërnecit, është zgjeruar me kalimin e javëve duke përfshirë kërkesa më të gjera politike dhe sociale.
Sipas organizatorëve, protesta e sotme shënon ditën e 41-të të mobilizimit qytetar dhe konsiderohet ndër protestat më të gjata dhe më të qëndrueshme të zhvilluara në Shqipëri në periudhën pas rënies së regjimit komunist.
Forca të shumta policie janë angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, ndërsa deri në nisje të marshimit situata në Sheshin “Skënderbej” paraqitet e qetë.
