Këshilli i Bashkimit Evropian ka miratuar planin kombëtar të rimëkëmbjes së Hungarisë, duke hapur rrugën për zhbllokimin e rreth 10 miliardë eurove fonde evropiane që prej kohësh ishin pezull.
Vendimi përbën një hap të rëndësishëm në procesin e rikthimit të financimeve për Budapestin, të cilat ishin bllokuar gjatë qeverisjes së Viktor Orban për shkak të shqetësimeve të Bashkimit Evropian lidhur me korrupsionin dhe sundimin e ligjit.
Lëvizja vjen pasi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi në muajin maj se fondet do të viheshin në dispozicion, pas takimit me kryeministrin hungarez Péter Magyar, i cili ka premtuar reforma dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit.
Sipas autoriteteve evropiane, miratimi i planit të rimëkëmbjes është një kusht kyç për disbursimin e fondeve, të cilat synojnë të mbështesin investimet dhe reformat ekonomike në vend.
Fondet e Bashkimit Evropian konsiderohen jetike për ekonominë hungareze, e cila ka shfaqur rritje të dobët dhe ka mbetur pothuajse në stanjacion gjatë tre viteve të fundit. Financimet pritet të kontribuojnë në rigjallërimin e aktivitetit ekonomik dhe përshpejtimin e reformave strukturore.
