Reuters: Putin nuk po sinjalizon gatishmëri për paqe, burimet flasin për rrezik përshkallëzimi të konfliktit

Data

Presidenti rus Vladimir Putin nuk po i përgjigjet pozitivisht thirrjeve për negociata paqeje me Ukrainën dhe mund të intensifikojë operacionet ushtarake në muajt e ardhshëm. Kështu raporton Reuters, duke cituar tre burime me lidhje me Kremlinin.

Sipas dy prej burimeve, të cilat folën në kushte anonimiteti, Kremlini vlerëson se ka ende objektiva ushtarakë për të arritur, ndërsa njëri prej tyre e cilësoi si “të lartë” mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit në periudhën e ardhshme.

Raporti vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se beson se ekziston mundësia për një zgjidhje të konfliktit dhe se paqja mund të jetë “më afër nga sa e kuptojnë njerëzit”. Javën e kaluar, Trump zhvilloi biseda telefonike të ndara me Putinin dhe presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, ndërsa u takua edhe me këtë të fundit gjatë samitit të NATO-s.

Sipas njërit prej burimeve të Reuters, Putini vazhdon të insistojë në arritjen e objektivave strategjikë të Rusisë, përfshirë kontrollin e plotë të rajonit të Donbasit, dhe së fundmi ka refuzuar propozime të brendshme për një kompromis të bazuar në ngrirjen e konfliktit përgjatë vijave aktuale të frontit.

Një burim tjetër tha se presidenti rus beson se forcat ruse mund të arrijnë objektivat e tyre në Donbas, pavarësisht ritmit më të ngadaltë të avancimit gjatë këtij viti.

Nga ana e tij, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia mbetet e hapur për një zgjidhje paqësore, por shtoi se vendi “ka kapacitet të mjaftueshëm për të vazhduar operacionin special ushtarak”, duke nënvizuar se Moska do të vijojë veprimet sipas objektivave të saj.

Raportimi i Reuters bazohet në burime anonime pranë Kremlinit dhe nuk përfaqëson një qëndrim zyrtar të autoriteteve ruse.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related