Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht protestave që prej 40 ditësh zhvillohen në Shqipëri dhe kërkesave të protestuesve për largimin e qeverisë.
Rama theksoi se në një sistem demokratik ndryshimi i pushtetit realizohet përmes zgjedhjeve dhe jo përmes ultimatumesh.
“Në një demokraci, dorëheqjet nuk vendosen nga megafonët, por nga institucionet dhe qytetarët përmes votimit. Unë kam një mandat të qartë. Kushdo që mendon se duhet të largohem ka të drejtë të organizohet, të garojë dhe të fitojë zgjedhje. Kjo është demokraci. Një ultimatum nuk është demokraci,” u shpreh ai.
Kryeministri komentoi edhe kritikat për gjuhën e përdorur ndaj protestuesve gjatë javëve të fundit. Ai tha se është i gatshëm të kërkojë ndjesë nëse deklaratat e tij kanë lënduar qytetarë që protestojnë me shqetësime të sinqerta, veçanërisht për çështjet mjedisore.
Duke folur për protestat, Rama tha se ato nisën si reagim ndaj projektit të diskutuar në zonën e Zvërnecit, por sipas tij më pas morën edhe një karakter politik.
“Ato filluan nga shqetësimi për projektin. Sot ato janë gjithashtu një protestë politike kundër qeverisë. Ky nuk është problem. Opozita ka të drejtë të protestojë. Problemi lind kur mjedisi përdoret si kostum për një luftë për pushtet që nuk ka të bëjë fare me flamingot, lagunën apo ligjin,” deklaroi ai.
Sa i përket deklaratave të mëparshme për ndikimin e faktorëve të jashtëm, Rama tha se manipulimi që ai ka përmendur lidhet kryesisht me aktivitetin në hapësirën digjitale.
