Protestat kundër Ramës bëjnë jehonë edhe në SHBA, “Democracy Now”: Zemërimi qytetar është shndërruar në revoltë kundër sistemit

Data

Protestat masive që prej më shumë se një muaji zhvillohen në Shqipëri kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama kanë vijuar të tërheqin vëmendjen e mediave ndërkombëtare. Pas raportimeve nga media si The Guardian, Reuters, Associated Press dhe Euronews, edhe mediumi amerikan Democracy Now i ka kushtuar hapësirë zhvillimeve në vend.  

Në artikullin e saj, media amerikane ndalet te ajo që është quajtur “Revolucioni i Flamingove”, duke theksuar se protestat, të cilat nisën si reagim ndaj planeve për zhvillime turistike në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare.

Sipas raportimit, projekti për ndërtimin e një resorti luksoz në një zonë me rëndësi ekologjike u bë shkëndija që nxori mijëra qytetarë në rrugët e Tiranës, ndërsa me kalimin e ditëve protestat morën një karakter më të gjerë politik dhe shoqëror. Ky zhvillim është përshkruar edhe nga media të tjera ndërkombëtare, të cilat kanë vënë në dukje se demonstratat tashmë përfshijnë kërkesa për dorëheqjen e kryeministrit, luftën kundër korrupsionit dhe më shumë transparencë në vendimmarrje.  

Në intervistat e zhvilluara nga Democracy Now, përfaqësues të Lëvizjes Bashkë e kanë cilësuar projektin turistik si simbol të problemeve më të gjera të qeverisjes, duke pretenduar se ai pasqyron një sistem të korruptuar dhe mungesë transparence.

Po ashtu, në artikull citohet edhe organizatorja sindikale Bora Mema, e cila shprehet se pjesëmarrësit mbeten të vendosur për të vijuar protestat.

“Protestat do të vazhdojnë dhe njerëzit janë shumë të vendosur”, citohet të ketë deklaruar ajo.

Vëmendja e medias amerikane i shtohet raportimeve të një sërë mediash prestigjioze ndërkombëtare, të cilat ditët e fundit kanë trajtuar protestat në Shqipëri si një nga zhvillimet më të rëndësishme politike në rajon.  

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related