Një ngjarje e rëndë ka tronditur Shkodrën mesditën e së mërkurës, ku një 62-vjeçar dyshohet se ka vrarë me armë gjahu bashkëshorten e tij.
Autori i dyshuar është identifikuar si Shtjefën Ziçi, ndërsa viktima është Bardhe Ziçi, 55 vjeçe.
Sipas informacionit paraprak, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, në zonën e unazës lindore të qytetit të Shkodrës. Dyshohet se 62-vjeçari ka qëlluar me armë gjahu bashkëshorten e tij në oborrin e banesës, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Pas ngjarjes, forcat e Policisë ndërhynë dhe vunë në pranga autorin e dyshuar.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve që çuan në këtë krim të rëndë në familje.
Policia pritet të japë detaje të tjera pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.
