Familjarët e 17-vjeçares që u dhunua nga tre bashkëmoshatare në një banesë në Fier kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve, ndërsa pretendojnë se pati vonesa në reagimin e institucioneve pas denoncimit.
Sipas nënës së të miturës, vajza u dërgua fillimisht në Urgjencën e Spitalit Rajonal të Fierit me shenja të dukshme dhune në trup.
“Më telefonoi bashkëshorti dhe më tha se vajza ishte në spital. Kur shkova ta merrja, pashë që kishte buzën e çarë dhe mavijosje pas veshëve. Më tha se i kishin bërë mjekimin dhe më pas kishte dalë nga spitali,” rrëfeu ajo.
Familjarët deklarojnë se më 8 qershor paraqitën kallëzim në Policinë e Fierit. Sipas tyre, 17-vjeçarja u mor në pyetje në prani të një psikologe dhe efektivët dokumentuan shenjat e dhunës.
“Qëndruam rreth tre orë në polici. Vajza dha deklarimet, u filmuan edhe shenjat në trup dhe na thanë se çështja do të zgjidhej të nesërmen. Por kaluan ditët dhe nuk morëm asnjë njoftim,” tha nëna.
Ajo pretendon gjithashtu se, ndonëse vajza kishte deklaruar se dhuna ishte filmuar nga autorët, për javë të tëra nuk u ndërmorën masa për sekuestrimin e telefonave celularë, me qëllim sigurimin e provave dhe shmangien e publikimit të videos.
“Shkova disa herë në polici për të pyetur se çfarë ishte bërë me videon dhe me denoncimin, por nuk mora përgjigje. Më thanë vetëm se materialet ishin dërguar në Prokurorinë e Fierit,” u shpreh ajo.
Sipas familjarëve, për rreth një muaj e gjysmë nuk pati komunikim nga policia, prokuroria apo shërbimet sociale.
“Për gati një muaj e gjysmë nuk na kontaktoi askush. Edhe shërbimet sociale erdhën vetëm në fund. Nuk morëm asnjë mbështetje institucionale gjatë kësaj kohe,” tha nëna.
Ajo pretendon se reagimi i institucioneve u intensifikua vetëm pasi rasti u bë publik në media.
Familja bën të ditur se 17-vjeçarja vazhdon të qëndrojë te të afërmit për arsye sigurie dhe kërkon hetim të plotë të ngjarjes, si dhe verifikimin e veprimeve të institucioneve përgjegjëse.
“Sot kërkoj drejtësi për vajzën time. Sot ndodhi me të, nesër mund t’i ndodhë një fëmije tjetër. Do të vazhdoj ta kërkoj të vërtetën deri në fund,” deklaroi nëna e 17-vjeçares.
