Monika Kryemadhi i ka kërkuar Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) që të shpallë të papërdorshme të dhënat e nxjerra nga telefoni i saj celular, i sekuestruar në kuadër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Gjatë seancës gjyqësore, Kryemadhi argumentoi se sekuestrimi i telefonit është kryer në kundërshtim me procedurat ligjore, duke theksuar se në kohën e kontrollit ushtronte funksionin e deputetes.
Sipas saj, provat e siguruara në mënyrë të paligjshme nuk mund të përdoren në procesin penal.
“Celulari është sekuestruar në mënyrë të paligjshme. Në atë periudhë kam qenë deputete dhe marrja e një prove në mënyrë të paligjshme e bën atë të papërdorshme”, deklaroi Kryemadhi para trupit gjykues.
Ajo tha gjithashtu se u kishte bërë me dije agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) se telefoni ishte në pronësinë e saj, por, sipas saj, sekuestrimi u krye gjithsesi.
Në vijim të argumenteve të saj, Kryemadhi kundërshtoi edhe kontrollin e ushtruar në banesë, duke pretenduar se, për shkak të statusit të saj si deputete në atë kohë, procedura nuk duhej të ishte zhvilluar në atë mënyrë.
Sipas saj, organi i akuzës ishte në dijeni se ajo banonte në atë adresë dhe kontrolli u zhvillua në dhomën e saj të gjumit, edhe pse prona rezulton e regjistruar në emër të Fatime Kryemadhit.
Kërkesa e Kryemadhit për shpalljen të papërdorshme të tabulateve dhe provave të siguruara nga telefoni pritet të shqyrtohet nga trupi gjykues në vijim të procesit.
