Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar mazhorancën se po dobëson funksionimin e institucioneve demokratike dhe po pengon procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së mbajtur në takimin e përbashkët BE–Shqipëri në Parlamentin Europian, Bardhi deklaroi se Kuvendi i Shqipërisë është shndërruar në një institucion që, sipas tij, vetëm miraton vendimet e qeverisë, pa ushtruar funksionin kushtetues të kontrollit dhe mbikëqyrjes.
“Parlamenti shqiptar nuk e udhëheq procesin e integrimit europian, sepse nuk ushtron më funksionet kushtetuese për të cilat është zgjedhur: nuk merr nisma ligjvënëse, nuk siguron llogaridhënie të qeverisë dhe nuk ushtron kontroll e mbikëqyrje efektive”, u shpreh Bardhi.
Ai kritikoi gjithashtu shumicën parlamentare për refuzimin e debatit mbi rezolutën e Parlamentit Europian për Shqipërinë, duke e cilësuar këtë si një praktikë që bie ndesh me standardet demokratike të Bashkimit Europian.
Sipas Bardhit, opozitës i janë bllokuar nismat ligjore dhe instrumentet e kontrollit parlamentar. Ai tha se gjatë këtij sesioni janë kërkuar 11 interpelanca me kryeministrin, por asnjë prej tyre nuk është zhvilluar.
“Pa llogaridhënie parlamentare nuk mund të ketë shtet të së drejtës, institucione demokratike funksionale dhe as integrim në Bashkimin Europian,” deklaroi ai.
Në fjalën e tij, Bardhi u ndal edhe te çështja e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke akuzuar mazhorancën se pengoi heqjen e imunitetit të saj pas kërkesës së SPAK.
“Mbrojtja politike e korrupsionit të zyrtarëve të lartë nuk e ndihmon integrimin, por e vështirëson atë,” tha Bardhi.
Ai kritikoi gjithashtu bashkimin e Komisionit për Integrimin Europian me Komisionin e Politikës së Jashtme, duke argumentuar se ky veprim ka dobësuar mbikëqyrjen parlamentare mbi procesin e negociatave me Bashkimin Europian.
Në përfundim, Bardhi theksoi se Shqipëria ka nevojë jo vetëm për hapjen e kapitujve të negociatave, por edhe për një Parlament që ushtron plotësisht kompetencat e tij kushtetuese.
“Një Parlament që nuk merr nisma, nuk kontrollon qeverinë dhe nuk ushtron mbikëqyrje nuk mund të quhet Parlament në kuptimin europian të fjalës. Vetëm institucione funksionale e bëjnë procesin e integrimit më të shpejtë dhe më të besueshëm,” përfundoi ai.
