Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sërish ndaj vendimit të qeverisë për financimin e koncertit të Kanye West me 4.3 milionë euro nga buxheti i shtetit, duke e cilësuar atë si dëshmi të një modeli ekonomik që, sipas saj, favorizon propagandën dhe jo zhvillimin.
Në një deklaratë publike, Tabaku u shpreh se vendimi për të financuar një aktivitet privat, ndërkohë që projektet strategjike mbështeten kryesisht në hua dhe financime të huaja, tregon se prioritetet e qeverisë nuk janë nevojat e qytetarëve.
“4.3 milionë euro nga buxheti për të shpëtuar një koncert. Vetëm 1% kontribut vendas për të ndërtuar një hekurudhë jetike. Kjo është ekonomia e fasadës. Ky është sistemi i pakicës”, deklaroi ajo.
Sipas Tabakut, në relacionin buxhetor parashikohet financimi për të shmangur dështimin e koncertit, ndërsa pretendohet se eventi do të ketë ndikim pozitiv në ekonomi. Në të njëjtën kohë, ajo solli në vëmendje projektin e hekurudhës Tiranë–Durrës, për të cilin, sipas saj, kontributi i drejtpërdrejtë i buxhetit të shtetit mbetet minimal.
Deputetja demokrate kritikoi gjithashtu mënyrën e financimit të projekteve infrastrukturore, duke pretenduar se ato po copëzohen në kontrata dhe hua të veçanta.
“Një projekt që duhej menduar dhe financuar si një i tërë, copëtohet në kontrata dhe borxhe të reja. Ky sistem nuk është ndërtuar për të përfunduar punët, por për të prodhuar klientelizëm”, tha Tabaku.
Ajo argumentoi se ekonomia shqiptare përballet me probleme strukturore, duke përmendur informalitetin në tregun e punës, pensionet e pjesshme, rënien e bujqësisë dhe nivelin e lartë të borxhit publik.
“Ky sistem gjen 4.3 milionë euro për të shpëtuar një koncert, por nuk shpëton pensionistin. Gjen para për propagandën, por jo për formalizimin e punës apo zhvillimin e ekonomisë reale”, u shpreh deputetja e PD-së.
Në përfundim, Tabaku deklaroi se financimi i koncertit është, sipas saj, një shembull i modelit të qeverisjes që favorizon fasadën dhe jo investimet afatgjata, duke shtuar se “e vetmja rrugë për të ndryshuar këtë model është largimi i kësaj qeverie”.
