Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar në përvjetorin e parë të lirimit të tij nga burgu, duke e cilësuar dënimin e tij si një burgosje politike dhe duke theksuar se bindjet nuk mund të kufizohen nga pushteti.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji shkroi se një vit më parë përfundoi, sipas tij, sprova e burgosjes politike, duke shtuar se kjo është reflektuar edhe në gjashtë rezoluta ndërkombëtare.
“Pushteti mund të shtrëngojë, mund të kufizojë përkohësisht lirinë e një njeriu, por nuk mund të burgosë kurrë bindjet, të vërtetën dhe idealet që ai ka”, shprehet Salianji në reagimin e tij.
Ai theksoi se gjatë gjithë angazhimit të tij politik ka zgjedhur të mos ndryshojë bindjet për t’iu përshtatur rrethanave, duke shtuar se liria nuk është privilegj që jepet nga pushteti, por një e drejtë që duhet mbrojtur çdo ditë.
Në mesazhin e tij, ish-deputeti u shpreh se Shqipëria ka nevojë për institucione që respektojnë ligjin, për një politikë që pranon mendimin ndryshe dhe për qytetarë që kërkojnë më shumë demokraci, drejtësi dhe llogaridhënie.
Në përfundim, Salianji deklaroi se, sipas tij, pengesat mund ta vonojnë rrugën, por nuk mund ta ndryshojnë drejtimin, duke falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë kësaj periudhe.
