Policia e Shtetit ka njoftuar se ka arrestuar një person, ka proceduar penalisht shtatë të tjerë dhe ka shpallur në kërkim katër persona të dyshuar për përfshirje në incidentet e ndodhura pranë Komisariatit të Policisë Nr. 3 në Tiranë gjatë protestës së 4 korrikut.
Sipas njoftimit zyrtar, veprimet hetimore janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë, pas ngjarjeve të ndodhura gjatë tubimit, ku, sipas autoriteteve, janë ushtruar akte dhune ndaj punonjësve të policisë dhe janë shkaktuar dëmtime në godinën e komisariatit.
Policia bën me dije se është ndaluar me iniciativë shtetasi me inicialet E. H., 33 vjeç. Ndërkohë, në gjendje të lirë janë proceduar penalisht shtetasit me inicialet K. M., V. K., E. L., Sh. B., V. D., E. N. dhe B. K.. Katër persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ndërsa identiteti i tyre nuk është bërë publik për shkak të vijimit të hetimeve.
Sipas Policisë, grupi hetimor po vazhdon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në ngjarje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për veprat penale:
- “Thirrje publike për veprime të dhunshme”;
- “Shkatërrimi i pronës”;
- “Goditja për shkak të detyrës”;
- “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”;
- “Mosbindja ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të Policisë”;
- “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”;
- “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”;
- “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
