Brenda marsit do të kemi lajme të bujshme në lidhje me këtë skandal, pasi Prokuroria e Posaçme do të fillojë me “prerjen e kokave”. Gazetarë dhe juristë kanë bërë me dije së fundmi dosja është qepur nga SPAK dhe në javët në vijim do të priten urdhër-arreste. “Peshku i madh”që rrezikon arrestimin është ish-presidenti Ilir Meta, i cili është thirrur dy herë brenda Prokurorisë së Posaçme. Ai dyshohet se ai është përfshirë në korrupsion dhe pastrim parash, duke gllabëruar paratë e qytetarëve shqiptarë gjatë kohës kur kreu aktual i partisë së Lirisë ka qenë ministër i Ekonomisë në qeverinë “Berisha 2” gjatë viteve 2009-2011. Paralajmërimin se ditët në vijim do të priten “fletë-arrestet” për këtë dosje i bëri ditën e djeshme gazetarja Anduena Llabani. “Flitet që në muajin mars do ketë arrestime në nivel zyrtarësh, çështja e inceneratorëve, çështja e CEZ-DIA”, tha ajo. Llabani deklaroi se ka patur takim kokë më kokë mes Dumanit dhe Robibnson i cili është i dyti nga zyrtarët më të lartë amerikan që takon kreun e SPAK. “Takimi ka zgjatur disa minuta dhe duket shumë i afërt, pasi përqafohen kur dalin. Ka pasur takim edhe me drejtues të tjerë të çështjeve kryesore të SPAK, nuk ka munguar as kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit, Aida Hajnaj, e cila nuk ka qenë kaq mediatike. Zyrtari amerikan nuk ka ardhur vetëm për të parë dosjet, por për të sjellë mjete të sofistikuara dhe këtu e kam fjalën për një zyrë të plotë përgjimi pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit”, tha ajo.
Dëshmitarja e “CEZ-DIA” në radarët e SPAK
Nga ana tjetër avokati Idajet Beqiri ka bërë një deklaratë të fortë së fundmi në lidhje me çështjen “CEZ-DIA”. Sipas avokatit Beqiri, paratë e kësaj afere janë pastruar në banka në Kongo dhe se janë çuar atje nga Kastriot Ismailaj dhe një grua, identitetin e së cilës nuk e bëri me dije. Ai theksoi se në lidhje me këto është në dijeni edhe Prokuroria e Posaçme (SPAK) “Çështjet që janë të rëndësishme, me peshë të madhe për ekonominë e vendit dhe shqiptarët. Janë ato që janë madhore, si u bë privatizimi i ALBPETROL, privatizimi i ARMOS, i CEZ. Kanë shkuar lekët në Kongo, janë pastruar në bankat e Kongos. Në bankat e Kongos ka llogari Ilir Meta dhe lekët i ka çuar Ismailaj, ka patur edhe një zonjë me vete, ajo duhet të pendohet sepse do t’i shkojë edhe asaj dora pas zverkut. Këto i janë thënë SPAK, i është thënë dhe emri i ministrit të Ekonomisë së Kongos që thotë nuk po më thërrasin të shpjegoj”, theksoi ai.
Dumani mori dëshminë në burg të Ismailajt
Gjithashtu gazetari Adriatik Doçi thotë se ka 4 dëshmi të forta që implikojnë drejtpërdrejt Ilir Metën në aferën “CEZ-DIA”. Sipas tij, 4 dëshmitë e forta që fundosin Metën, janë ajo e Elvis Mataj, një person i besueshëm i Metës, Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, dëshmia e tretë është e Vojsava Ismaliajt, si dhe e vetë Kastriot Ismailajt. Këtij të fundit sipas gazetarit kreu i SPAK i ka marrë një dëshmi në burg për këtë aferë korruptive. “Ka të bëjë për mënyrën procedurale. Jemi drejt fundit. Për shkak të përfundimit të afateve SPAK-u do të dalë më një vendimmarrje për këtë dosje. Nëse do të ngrejë akuzë apo të pushojë. Ka 4 dëshmi të forta që implikojnë drejtpërdrejt Ilir Metën. Afera CEZ-DIA është një mini-aferë, në gjithë aferën e madhe të CEZ. Nga auditi i bërë nga ministria e Ekonomisë me në krye Gjikunurin, shkon në 450 mln euro dëmi. SPAK po heton vetëm një episod korruptiv brenda megaferës, që është CEZ-DIA. Deri tani prokuroria ka konstatuar 5 mln euro vjedhje, por dyshohet se kostoja është shumë më shumë. U privatizua CEZ, pastaj CEZ kontrakton kompaninë DIA të mbledhë borxhin e keq. DIA thjeshtë dorëzonte dokumente fiktive dhe CEZ-i i kalonte paratë. CEZ-i plotësonte fatura dhe ja kalonte shtetit shqiptarë. Kemi një fakt penal që nuk është hetuar nga prokuroria. Është kalimi i shtetasit Nuel Kalaj me 6.8 mln euro jashtë kufirit shqiptar. Sekseri kryesor midis çekëve dhe qeverisë shqiptarë. Këtu nis historia korruptive. Pas këtij episodi nis një histori korruptive e CEZ-DIA-s. Nis sapo Meta bashkohet me Berishën. Historia e CEZ-DIA është shpikur që të fitojë Ilir Meta. SPAK ka 4 dëshmi që fundosin Ilir Metën në këtë histori. Elvis Mataj ka qenë një person i besueshëm i Ilir Metës, dhe ka qenë drejtori ekskluziv i kompanisë DIA me pronar Kastriot Ismailajn. Elvis Mataj ka rrëfyer për rolin e Ilir Metës në këtë histori. Ilir Meta e ka konsideruar si një personazh mashtrues duke i dhënë një mesazh. Dëshmia e dytë është e Jozef Heickut. Ai ka folur dhe ka thënë që Kastriot Isamilajn na e solli Ilir Meta. Dëshmia tretë është e Vojsava Ismailajt. Për favoret që i kërkonte Ilir Meta Kastriot Ismailajt. Dëshmia e fundit është e vet Katsriot Ismailajt. Vetë kreu i SPAK thuhet se ka shkuar dhe i ka marrë një dëshmi në burg për rolin e Ilir Metës në këtë aferë korruptive”, tha Doçi.
Do pyetet dhe Berisha
Për këtë dosje ka folur dhe avokati Romeo Kara, i cili thotë se nuk është vetëm Ilir Meta i kallëzuar, por edhe Sali Berisha. ‘Nasip Naço është njeri që ka dijeni për këtë çështje dhe ka vajtur për këtë cilësia. Nuk është vetëm Meta i kallëzuar është edhe Berisha. Për Berishën duhet të zbresë një shpallje nga lart ta pyesin. Ju treguat një numër të madh dosjesh. 17 dosje i ke nga çështja e privatizimit të pa çuar as për hetim. Për mua ngelet korrupsioni kryesor. Ajo dosje ndodhet në Gjykatën e Lartë sot. Berisha e ka ndarë qeverisjen me pashallëqe. S’ka bërë veprimet e duhura për të mbrojtur interesat e shtetit shqiptar. Është përfshirë ERE dhe ka dhënë vendim në trysni”, tha Kara. Avokati thotë se Metën e njeh që nga viti ’80 e se i ka ofruar që ta bënte drejtor. “Me 0 e shumëzoj. Tani ai zotëria deklaron dhe i bie gjoksit se ky është i persekutuar politik. Ai mund të tallët me vetën po jo me njerëzit, e kam dërguar në 2027. Është Meta që më ka kërkuar të jem shefi i punëve të tij. Më njeh që nga ’80 dhe nuk kam pranuar. Në ’99, 2000 më ka kërkuar të jem drejtor në Qytet Studenti dhe te KESH dhe nuk kam pranuar. Kam pasur njohje të vjetër më Ilir Metën. Në këtë jetë jam 57 vjeç Meta, fut Ramën fut Berishë kam një urrejtje dhe e kam me baza. Dhe si besimtar i kam parë me argumente te vetja ime. Është një kushtetutë dhe kam detyrë sa të jetoj do përballem me sojin e tyre. Besimtarët se kanë marrë në dorë jetën e tyre. Kurrë nuk i kam vajtur Metës ti kërkoj një favor. Rama ndryshon nga këta se këta kanë reaguar me egërsi. Ky është një manipulues një gënjeshtar ordiner dhe vazhdon më sulmon mua. Është bërë në 2017 dhe nuk dali dy vite llogari. Nuk u trajtua nga drejtësia si duhet “CEZ-DIA”. Nuk u mor ndëshkimi. A është vjedhje? Po rrëzojmë Ramën e të na vijnë këta ish-hajdutët”, tha Kara.
Ja detajet nga afera “CEZ-DIA”
Skandali i ka fillesat në vitin 2009, kur OSSH shiti 75% të aksioneve tek CEZ-DIA, gjatë qeverisjes së Sali Berishës, ndërsa në vitin 2013, kur socialistët morën pushtetin, u bë ndërprerja e kontratës abuzive. Prishja e kësaj marrëveshje që i shkaktoi buxhetit një dëm mbi 414 mln euro, u bë me argumentin se CEZ nuk kishte bërë asnjë prokurim për të importuar energji elektrike në vjeshtën e 2012, dhe në këto kushte e gjithë kërkesa për energji elektrike përballohej nga rezerva e kaskadës se Drinit. Për këtë aferë u dënua vetëm Ismailaj, i cili ka kryer dënimin, për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të parave”, ku me falsifikim të dokumenteve arriti të përvetësojë nga kompania CEZ, rreth 5 milionë euro për një shërbim të cilin s’e kishte kryer. Kjo dosje e nxehtë për dyshen Berisha-Meta po përfundon hetimet në SPAK. Afera CEZ-DIA për mbledhjen e rreme të borxheve me faturat e papaguara nga abonentët, nisi të zbatohej pas finalizimit të mega aferës së shitjes së OSSH tek CEZ nga qeveria Berisha. Nuel Kalaj ishte sekseri mes CEZ dhe qeverisë Berisha për privatizimin e 75 % të aksioneve të OSSH nga çekët. Negociatat rezultuan të përfshirë edhe djalin e ish-kryeministrit, Shkëlzen Berisha.
