Policia e Fierit ka reaguar zyrtarisht lidhur me një rast dhune mes të miturash, i cili u bë publik pas qarkullimit të një videoje në rrjetet sociale.
Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur më 8 qershor 2026, kur një 17-vjeçare, e shoqëruar nga nëna e saj, ka kallëzuar në Komisariatin e Policisë Fier se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e një 19-vjeçareje nga kjo e fundit dhe dy vajza të tjera 15 vjeçe.
Menjëherë pas kallëzimit, strukturat e Policisë së Fierit, në bashkëpunim me Prokurorinë, kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurale të parashikuara nga ligji.
Gjatë hetimeve janë shoqëruar në polici 19-vjeçarja dhe dy të miturat, të cilat, sipas policisë, kanë pranuar se kishin ushtruar dhunë ndaj bashkëmoshatares për motive të dobëta.
Më 9 qershor 2026, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”.
Policia bën me dije se më 28 qershor 2026 njëra prej 15-vjeçareve u arrestua pas kallëzimit të nënës së saj, e cila deklaroi se ishte dhunuar fizikisht nga vajza.
Sipas autoriteteve, pas procedurave përkatëse dhe vlerësimit të institucioneve kompetente, e mitura është dërguar për trajtim në një institucion të specializuar të shëndetit mendor në Tiranë.
Në deklaratën e saj, Policia e Shtetit thekson se të gjitha veprimet janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë dhe në përputhje me ligjin, duke nënvizuar se trajton me prioritet rastet ku përfshihen të mitur.
