Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Kurbinit ka dështuar për shkak të mungesës së korumit, duke shkaktuar reagime të forta nga radhët e opozitës.
Sipas burimeve zyrtare, mbledhja e planifikuar një ditë më parë nuk u zhvillua pasi këshilltarët e mazhorancës nuk morën pjesë, duke bërë të pamundur nisjen e punimeve të Këshillit Bashkiak. Opozita akuzon drejtpërdrejt këshilltarët e Partisë Socialiste për bojkot të qëllimshëm të mbledhjes.
Përfaqësuesit e opozitës e kanë cilësuar këtë situatë si të papranueshme, duke theksuar se në rendin e ditës ishte parashikuar miratimi i ndihmës ekonomike për familjet në nevojë. Sipas tyre, mungesa e këshilltarëve të mazhorancës po dëmton drejtpërdrejt interesat e qytetarëve dhe po bllokon vendimmarrje të rëndësishme sociale.
Në reagimin e tyre, opozita paralajmëroi se nëse kjo situatë do të vijojë, do të ndjekë të njëjtën linjë duke braktisur mbledhjet e ardhshme të Këshillit Bashkiak.
Mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak të Kurbinit është planifikuar të mbahet më 3 shkurt, ndërsa mbetet për t’u parë nëse palët do të arrijnë një zgjidhje për normalizimin e funksionimit të institucionit vendor.
