Një qytetar i moshuar, pjesëmarrës në protestën e zhvilluar në Tiranë, mbajti një fjalim ku iu përgjigj etiketimeve që, sipas tij, u bëhen protestuesve, ndërsa bëri thirrje për ruajtjen e karakterit paqësor të tubimit.
Gjatë fjalës së tij, ai ironizoi akuzat se protestuesit janë të nxitur ose të financuar nga aktorë të huaj.
“Unë jam agjent i Iranit, i Rusisë… Ku ka shqiptar që nuk ua kanë bërë borxh këta?” u shpreh ai me ironi.
Më tej, protestuesi iu drejtua Policisë së Shtetit, duke theksuar se protesta, sipas tij, ka qenë paqësore dhe duke bërë thirrje për shmangien e çdo përshkallëzimi.
“Kam një mesazh për Policinë e Shtetit. Ju e dini që kjo është protesta më paqësore e historisë së këtij vendi. Këtu ka gra, gra shtatzëna. Një veprim i juaj mund të ndezë shkrepësen dhe besoj se as ju nuk jeni dakord që të ndodhë kjo,” deklaroi ai.
Në përfundim të fjalës, qytetari hodhi poshtë etiketimet ndaj pjesëmarrësve në protestë dhe tha se ata kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre.
“Ne nuk jemi mbeturina, jemi qytetarë dhe protestojmë për të drejtat tona që na janë mohuar,” u shpreh protestuesi, mes duartrokitjeve të të pranishmëve.
