Një tjetër zhvillim tronditës ka përfshirë Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), teksa kreu aktual i institucionit, Gentian Gjyli, është thirrur për të dëshmuar dje në Prokurorinë e Posaçme (SPAK). Gjyli, i emëruar në krye të ARRSH-së vetëm disa muaj më parë, ka qëndruar për më shumë se dy orë në SPAK, ku ka dhënë shpjegime mbi procedurat e ndjekura për tenderët e rrugëve. Burime pranë SPAK raportojnë se Gjyli është pyetur për periudhën kur ai ishte zv/drejtor i ARRSH-së, gjatë kohës që institucioni drejtohej nga Evis Berberi, i cili aktualisht ndodhet pas hekurave. Berberi, krahu i djathtë i zv/kryeministres Belinda Balluku, akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash, në një aferë që përfshin miliona euro.
Dyshimet lidhen me skemën e mirënjohur, ku Berberi u akuzua se gjatë drejtimit të ARRSH-së dhe Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, ka favorizuar kompaninë e ortakut të tij, Valter Begaj, duke i dhënë 6 tendera të majmë. Fitimet më pas kalonin në mënyrë indirekte tek kompania e kontrolluar prej tij. Gentian Gjyli, i cili ka qenë një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Berberit, dyshohet se ka dijeni për të gjitha mekanizmat e kësaj skeme. Emërimi i Gjylit në krye të ARRSH-së pas arrestimit të Berberit u pa si një përpjekje për të mbyllur çështjen dhe për të shmangur thellimin e hetimeve. Por dëshmia e tij e gjatë dje në SPAK duket se po hap një kapitull të ri në këtë skandal. Edhe pse Gjyli nuk pranoi të komentojë për mediat pas daljes nga SPAK, burimet flasin për një presion të madh mbi të, për të zbuluar rolin e aktorëve të tjerë të përfshirë.
