Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka zhvilluar biseda telefonike me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe presidentin rus Vladimir Putin, ku tema kryesore ishte lufta në Ukrainë dhe mundësitë për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike.
Sipas presidentit ukrainas, biseda me Trump u zhvillua në një atmosferë pozitive, ku, përveç urimeve me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, u diskutua edhe situata në vijën e frontit.
Zelensky deklaroi se sheh një “perspektivë reale” për t’i dhënë fund konfliktit dhe bëri të ditur se palët ranë dakord të vijojnë diskutimet gjatë samitit të ardhshëm të NATO-s, që do të zhvillohet më 7-8 korrik në Ankara.
Ndërkohë, edhe Kremlini konfirmoi zhvillimin e një bisede telefonike mes Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit.
Sipas këshilltarit presidencial rus, Yuri Ushakov, telefonata zgjati rreth një orë e 25 minuta, gjatë së cilës Putin e uroi presidentin amerikan për Ditën e Pavarësisë dhe u diskutuan zhvillimet e fundit në Ukrainë, si edhe samiti i ardhshëm i NATO-s.
Ushakov tha se Trump ka riafirmuar gatishmërinë e tij për të kontribuar në përfundimin sa më të shpejtë të luftimeve dhe për të mbështetur përpjekjet diplomatike për zgjidhjen e konfliktit.
Bisedimet zhvillohen në një moment tensionesh të larta në terren. Vetëm pak ditë më parë, një sulm rus në Kiev shkaktoi dhjetëra viktima, ndërsa forcat ukrainase goditën objekte të infrastrukturës së naftës pranë Shën Pjetërburgut.
