Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin për masat e sigurisë ndaj protestuesve të arrestuar pas ngjarjeve të 2 korrikut pranë Kuvendit, duke lënë të lirë nga paraburgimi shumicën e tyre.
Sipas vendimit, 19 protestues janë liruar nga qelia, ndërsa për dy persona është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”. Për pjesën më të madhe të të ndaluarve është vendosur masa “detyrim paraqitjeje”, ndërsa për pesë persona gjykata nuk ka caktuar asnjë masë sigurie.
Gjykata e konsideroi të ligjshëm arrestimin në flagrancë, pavarësisht kundërshtimeve të avokatëve mbrojtës, të cilët argumentuan se policia nuk kishte individualizuar veprimet konkrete të secilit prej të arrestuarve.
Pas përfundimit të seancës, avokati Dorian Matlija deklaroi se procesi kishte mangësi të shumta procedurale.
“Gjykata e konsideroi të ligjshëm arrestimin, megjithëse ne kundërshtuam duke argumentuar se policia nuk kishte konkretizuar sjelljen individuale të shumë personave. Kërkuam që gjykata të mos instrumentalizohej për të dhënë mesazhe frikësuese ndaj protestuesve”, u shpreh ai.
Sipas Matlijës, gjatë seancës u konstatuan edhe persona me shenja të dukshme dhune në trup, ndërsa mbrojtja kërkoi lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve për mungesë provash.
Jashtë Gjykatës së Tiranës, qindra qytetarë dhe aktivistë qëndruan për disa orë në mbështetje të protestuesve të ndaluar. Pas shpalljes së vendimit, të pranishmit brohoritën “Fitore, fitore”, ndërsa vijuan edhe thirrjet në mbështetje të protestuesve dhe kundër korrupsionit.
Prokuroria kishte ngritur akuza për disa vepra penale, mes tyre kundërshtim të punonjësit të policisë, shkatërrim prone, prishje të rendit publik, organizim të paligjshëm të grumbullimeve dhe pengim të qarkullimit rrugor. Avokatët i kundërshtuan akuzat, duke pretenduar se provat e paraqitura nuk mjaftojnë për të justifikuar masat shtrënguese.
