Aktori i njohur Mehdi Malkaj mori fjalën gjatë protestës së 35-të kombëtare të zhvilluar para Kryeministrisë në Tiranë, ku iu drejtua qytetarëve me një mesazh për atdhedashurinë dhe përgjegjësinë qytetare.
I pritur me duartrokitje nga të pranishmit, Malkaj falënderoi protestuesit për mbështetjen dhe emocionet që, sipas tij, e rikthyen në podium.
“Ju më falni shumë dashuri, sepse duartrokitjet tuaja më kanë bërë të vij deri këtu. O njerëz, ne që jemi këtu jemi shqiptarë të mirë, kjo nuk diskutohet”, u shpreh ai.
Në vijim të fjalës së tij, aktori ndau edhe një mesazh mbi rëndësinë e Atdheut, duke thënë:
“Për dashurinë jap jetën, por për Atdheun jap dashurinë.”
Fjalimi i tij u shoqërua me duartrokitje dhe brohoritje nga një pjesë e protestuesve të mbledhur në bulevard.
Protesta vijoi me fjalime të tjera nga qytetarë dhe personalitete publike, ndërsa organizatorët përsëritën kërkesat e tyre, mes të cilave dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, lirimi i protestuesve të arrestuar dhe ndryshime në sistemin politik.
