Komiteti Shqiptar i Helsinkit shpreh shqetësim për përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës para Kuvendi

Data

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka reaguar lidhur me protestën e zhvilluar më 2 korrik 2026 para Kuvendit të Shqipërisë, duke shprehur shqetësim si për aktet e dhunës të kryera nga individë të veçantë, ashtu edhe për përdorimin e forcës nga Policia e Shtetit.

Në deklaratën e tij, KShH thekson se e drejta për tubim paqësor është e garantuar nga Kushtetuta e Shqipërisë dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ndërsa autoritetet kanë detyrimin të garantojnë ushtrimin e kësaj të drejte në mënyrë të sigurt dhe proporcionale.

Sipas monitorimit të organizatës, protesta kishte karakter kryesisht paqësor për pjesën më të madhe të zhvillimit të saj. KShH nënvizon se aktet e dhunshme të kryera nga individë të caktuar nuk duhet t’u atribuohen të gjithë pjesëmarrësve dhe nuk ia heqin tubimit karakterin paqësor në tërësi.

Komiteti shpreh shqetësim për ndryshimin e menjëhershëm të ndërhyrjes policore pas incidenteve pranë Kuvendit, duke evidentuar përdorimin e gazit lotsjellës, shkopinjve të gomës dhe formave të tjera të forcës.

Sipas KShH-së, përdorimi i gazit lotsjellës nuk u parapri nga një paralajmërim publik dhe nuk iu dha protestuesve kohë e arsyeshme për t’u larguar vullnetarisht. Organizata thekson se, sipas standardeve të Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, përdorimi i mjeteve kimike pa paralajmërim mund të përbëjë ndërhyrje joproporcionale ndaj së drejtës për tubim dhe, në rrethana të caktuara, keqtrajtim.

Gjithashtu, KShH kërkon hetim të pavarur dhe efektiv për rastet e vëzhguara ku është përdorur forcë ndaj personave që, sipas organizatës, ishin neutralizuar dhe nuk po bënin rezistencë. Në deklaratë thuhet se goditjet ndaj personave të shtrirë në tokë bien ndesh me standardet e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor të përcaktuara nga jurisprudenca evropiane.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit u bën thirrje autoriteteve kompetente që të hetojnë në mënyrë të paanshme si aktet e dhunës të kryera nga individë gjatë protestës, ashtu edhe çdo pretendim për përdorim të tepruar ose joproporcional të forcës nga punonjësit e Policisë së Shtetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related