Rama reagon për protestat: “Mbetje të rrezikshme socio-politike” organizatorët, qytetarët kanë të drejtë të protestojnë

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për protestat që prej një muaji po zhvillohen çdo ditë në Tiranë, ku pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e tij dhe të qeverisë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama bëri dallim mes qytetarëve që, sipas tij, protestojnë për shqetësime reale dhe organizatorëve të protestës, të cilët i cilësoi si “mbetje të rrezikshme socio-politike” dhe “shembëlltyra më e zezë e alternativave politike të këtyre 35 viteve”.

Kreu i qeverisë theksoi se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, pavarësisht se kush i organizon apo i drejton tubimet, ndërsa shtoi se qeveria do të reflektojë mbi shqetësimet e tyre.

“Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, pavarësisht se kush i drejton, manipulon, përdor dhe abuzon me hallet e tyre. Korja e mbetjeve të rrezikshme socio-politike të bulevardit dhe uji i rrjedhshëm i protestës së qytetarëve që kërkojnë të dëgjohen janë dy gjëra krejt të ndryshme”, shkruan Rama.

Sipas tij, pakënaqësitë e qytetarëve do të shërbejnë si një nxitje për përmirësimin e qeverisjes dhe realizimin e objektivit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.

Në përfundim të reagimit, Rama shprehet se shumica qeverisëse do të dalë “më afër me popullin”, ndërsa akuzon organizatorët e protestave se po keqpërdorin qytetarët për interesa politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related