Një moment tensioni është regjistruar gjatë protestës së zhvilluar paraditen e sotme përpara Kuvendit të Shqipërisë.
Gjatë tubimit, disa protestues morën një kosh mbeturinash dhe tentuan ta vendosnin në hyrje të godinës së Parlamentit, por u ndaluan nga efektivët e Policisë, të cilët ndërhynë për të penguar veprimin.
Gjatë incidentit, protestuesit hodhën thirrje ironizuese ndaj klasës politike, duke deklaruar: “Këtu e keni vendin”, “Parlamenti në kosh!” dhe “Rama n’kosh, Berisha n’kosh!”.
Protesta para Kuvendit po zhvillohet paralelisht me seancën plenare, ndërsa pjesëmarrësit kanë përsëritur kërkesat e tyre për ndryshime politike dhe kanë shprehur pakënaqësinë ndaj mazhorancës dhe opozitës.
