Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi përmes një video-mesazhi lidhur me librin “Albanian Files”, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se e trajton Shqipërinë si pronë personale dhe duke kërkuar hetim ndërkombëtar mbi projektet e përfshira në botim.
Sipas Berishës, libri nuk përfaqëson një histori suksesi të qeverisë, por ngre pikëpyetje mbi mënyrën e planifikimit të zhvillimeve urbane dhe mbi financimin e 523 projekteve të paraqitura në të.
Ai deklaroi se duhet të hetohet burimi i financimeve për hartimin e këtyre projekteve, duke u bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Eurojust, Europol dhe Interpol, të verifikojnë pagesat dhe procedurat e ndjekura.
Berisha ngriti gjithashtu akuza për konflikt interesi, duke pretenduar se kryeministri ka interesa familjare në zonën e Gjipesë, si dhe kritikoi projektet e investimeve publike, duke i cilësuar ato si shembuj të keqmenaxhimit të fondeve.
Në përfundim të mesazhit të tij, kreu i opozitës vlerësoi reagimin e protestuesve ndaj botimit të “Albanian Files”, duke e cilësuar atë si një reagim qytetar dhe duke përsëritur thirrjen për transparencë dhe hetim të plotë mbi projektet e përfshira në libër.
