Klodian Braho është zgjedhur drejtuesi i ri i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), duke marrë mandatin trevjeçar që nis më 19 dhjetor, një ditë pas përfundimit të detyrës së Altin Dumanit. Braho, i cili u emërua prokuror në vitin 2007 dhe është pjesë e SPAK që prej themelimit të tij, shihet si një nga figurat më të rëndësishme të hetimeve të korrupsionit dhe çështjeve të nivelit të lartë në vend.
Dosjet kryesore që mbajnë “vulën” e Klodian Brahos
1. Inceneratori i Elbasanit
Një nga çështjet më të bujshme të viteve të fundit, e drejtuar nga Braho. Hetimi i tij solli:
- Urdhër-arreste për Mirel Mërtirin, Stela Gugalljën dhe Klodian Zoton.
- Ndarjen e hetimit për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, i cili aktualisht ndodhet në arrati.
Ky hetim e pozicionoi Brahon si një nga prokurorët më aktivë në çështjet që prekin nivelet më të larta të politikës.
2. Dosja “5D” – Bashkia e Tiranës
Braho ka drejtuar hetimin e dosjes së njohur si “5D”, e cila çoi në gjyq disa ish-drejtorë të Bashkisë së Tiranës. Dosja lidhet me abuzime në tenderët publikë dhe është një nga çështjet që kanë tronditur administratën vendore.
3. Dosja “Toyota Auris”
Një ndër çështjet më të ndërlikuara dhe të shumëpërfolura, ku u kapën rreth 3.4 milionë euro të fshehura në një automjet “Toyota Auris”.
Dosja është e ndarë në disa fraksione dhe vijon të hetohet për linja të tjera të dyshimta, pasi përfshin jo vetëm persona të botës së krimit, por edhe emra të drejtësisë dhe politikës.
4. Çështja ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu
Braho është ndër prokurorët që kanë firmosur dërgimin për gjykim të ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu, nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për tragjedinë e Gërdecit. Çështja është rikthyer në fokus pas viteve të tëra ngecjeje.
Një drejtues me profil të lartë hetimor
Me eksperiencë të gjatë në çështje korrupsioni dhe krimi ekonomik, Braho pritet të sjellë një qasje të ashpër ndaj hetimeve që kanë mbetur pezull ose që kërkojnë intensifikim. Mandati i tij nis në një moment ku pritshmëritë publike dhe ndërkombëtare për rezultate konkrete janë tepër të larta.
