Edhe pse fluksi i lëvizjeve të emigrantëve ka rënë ndjeshëm pas festave, në doganën e Kapshticës vijojnë vonesat për udhëtarët që synojnë të hyjnë drejt Greqisë.
Shkak për radhët dhe pritjet e gjata është puna e palës greke me një sistem të ri kontrolli, i cili ka rritur ndjeshëm kohën e përpunimit të dokumenteve. Sipas burimeve nga pika kufitare, udhëtarët po përballen me vonesa që arrijnë deri në një orë ose më shumë.
Ndryshe paraqitet situata në krahun shqiptar, ku autoritetet doganore po punojnë me kapacitet maksimal dhe pa vonesa të theksuara.
Vetëm gjatë 10 ditëve të para të muajit janar, mbi 60 mijë shtetas kanë kaluar nga Shqipëria drejt Greqisë, çka tregon se pavarësisht rënies së fluksit, lëvizjet ndërkufitare mbeten të konsiderueshme.
