Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka denoncuar atë që e cilëson si gjendje problematike të punimeve për rikonstruksionin e godinës së Urgjencës në Spitalin e Lushnjës.
Përmes një reagimi publik, Korreshi publikoi pamje nga kantieri i punimeve, duke pretenduar se cilësia e ndërtimit është e dobët dhe se elementët konstruktivë nuk ofrojnë garancitë e nevojshme për një godinë që pritet të përballojë fluks të lartë pacientësh.
Sipas deputetit demokrat, dyshemeja e objektit paraqitet shumë e hollë, ndërsa armaturat metalike të përdorura, sipas tij, nuk përmbushin standardet e kërkuara për një ndërtesë spitalore.
“Kjo godinë pritet të shërbejë si Urgjenca e Spitalit të Lushnjës dhe të presë qindra pacientë çdo ditë. Cilësia e punimeve duhet të jetë në përputhje me standardet e sigurisë,” u shpreh Korreshi.
Ai shtoi gjithashtu se godina mbështetet mbi një strukturë të ndërtuar dekada më parë, duke kërkuar verifikim të punimeve dhe transparencë nga institucionet përgjegjëse mbi standardet teknike të projektit.
Deri në këtë moment nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet përgjegjëse apo nga drejtuesit e projektit lidhur me pretendimet e ngritura nga deputeti i opozitës.
