Eurodeputetja italiane Ilaria Salis, anëtare e grupit parlamentar “Të Gjelbrit” në Parlamentin Europian, ka mbërritur në Tiranë, ku pritet të marrë pjesë në protestën qytetare të organizuar këtë fundjavë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salis bëri të ditur se do të jetë e pranishme në demonstratë dhe do të zhvillojë takime me aktivistë dhe qytetarë të përfshirë në lëvizjen protestuese.
“Sapo mbërrita në Tiranë. Këtë fundjavë do të jem në demonstratë dhe do të takoj njerëzit dhe aktivistët që po i japin jetë kësaj lëvizjeje fantastike popullore,” shkroi eurodeputetja.
Protesta e kësaj të shtune pritet të mbledhë qytetarë dhe aktivistë nga Shqipëria dhe diaspora, të cilët kanë paralajmëruar vijimin e mobilizimit me kërkesa për ndryshime politike, transparencë dhe llogaridhënie institucionale.
Pjesëmarrja e eurodeputetes italiane vjen pas deklaratave të mëparshme të përfaqësuesve të grupit “Të Gjelbrit” në Parlamentin Europian, të cilët kanë shprehur interes për zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe për çështjet që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, transparencën dhe sundimin e ligjit.
