Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, mori pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga International Republican Institute (IRI) me temë “Countering Authoritarian Influence”, ku diskutoi mbi sfidat e demokracive përballë ndërhyrjeve të huaja dhe autoritarizmit.
Gjatë fjalës së saj, Tabaku theksoi se ndërhyrjet e huaja nuk burojnë vetëm nga faktorët e jashtëm, por ushqehen nga dobësitë e brendshme të shtetit.
“Nuk janë vetëm aktorët e jashtëm problemi. Ndërhyrja e huaj funksionon vetëm aty ku institucionet janë të dobëta, ku korrupsioni tolerohet, ku mungon transparenca dhe ku qytetarët humbasin besimin tek shteti”, u shpreh ajo.
Duke iu referuar situatës në Shqipëri dhe në Ballkanin Perëndimor, Tabaku argumentoi se korrupsioni, pastrimi i parave, krimi i organizuar dhe kapja e shtetit përbëjnë rreziqe të drejtpërdrejta për sigurinë kombëtare.
Sipas saj, siguria ekonomike, energjetike, teknologjike dhe transparenca financiare duhet të trajtohen si pjesë e sigurisë kombëtare, ndërsa demokracitë duhet të ndërtojnë mekanizma që pengojnë krijimin e varësive strategjike.
Në këtë kuadër, deputetja prezantoi dy nisma që ka mbështetur në Kuvend. E para lidhet me krijimin e një mekanizmi modern për shqyrtimin e investimeve të huaja strategjike (FDI Screening), me qëllim kontrollin e investimeve në sektorë kritikë si infrastruktura, energjia, telekomunikacioni, portet dhe teknologjitë strategjike.
Po ashtu, Tabaku paraqiti paketën e saj kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave, e cila përfshin rritjen e transparencës mbi pronësinë përfituese të kompanive, forcimin e kontrollit mbi transaksionet e mëdha financiare, rritjen e transparencës në prokurimet publike dhe masa për të penguar hyrjen e kapitaleve të paligjshme në sektorët strategjikë të ekonomisë.
Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua edhe rolit të teknologjisë në konkurrencën gjeopolitike, ku Tabaku theksoi se inteligjenca artificiale, infrastruktura digjitale dhe të dhënat janë bërë elementë kyç të fuqisë kombëtare.
Në përfundim, ajo u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që vendet e Ballkanit Perëndimor të vlerësohen mbi bazën e zbatimit të reformave dhe jo vetëm të premtimeve politike.
“Ndërhyrja e huaj tërhiqet nga dobësia. Përgjigjja më e fortë që mund të japë një demokraci është ndërtimi i rezistencës përmes transparencës, shtetit të së drejtës, llogaridhënies dhe besimit të qytetarëve tek institucionet”, përfundoi Tabaku.
