Gazetari kosovar Milaim Zeka ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me të kaluarën e Dritan Goxhajt, i cili u shfaq në protestën qytetare të zhvilluar në Tiranë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zeka kritikoi përfshirjen e historisë së luftës në debatin politik aktual, duke theksuar se Goxhaj ka qenë pjesë e luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se kontributi i tij nuk duhet mohuar.
“Me apo pa pagesë, ky tipi dhe babai i tij, besa dhe familja, e kanë kryer detyrimin ndaj Shqipërisë dhe Kosovës. Edi Rama dhe shumë të tjerë e kanë pasur shansin historik të vinin në luftën e Kosovës, nuk kanë ardhur. Mbylleni dhe mos flisni për atë kohë. Mos e përdhosni luftën,” shkruan Zeka.
Ai shton se përgjegjësia për veprimet aktuale duhet të trajtohet sipas ligjit, pa u përdorur e kaluara si mjet për përplasje politike.
“Nëse Dritani bën diçka sot që bie ndesh me ligjin, arrestojeni, dënojeni, por të kaluarën mos ia mohoni, sepse nuk mundeni,” thekson gazetari.
Dritan Goxhaj u bë pjesë e vëmendjes publike pasi në protestën kundër qeverisë u përzgjodh nga organizatorët për të lexuar kërkesat drejtuar ekzekutivit. Protestat në Tiranë kanë vijuar për javë me radhë, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe paraqesin një sërë kërkesash për ndryshime politike dhe institucionale.
