Vijon për të 27-ën ditë radhazi protesta qytetare në Tiranë kundër kryeministrit Edi Rama. Qytetarët janë mbledhur në qendër të kryeqytetit, duke përsëritur kërkesën e tyre për dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshim politik.
Gjatë tubimit, aktivisti Arben Kola deklaroi se përgjegjësitë për çështjet e ngritura nga protestuesit duhet të trajtohen nga organet e drejtësisë.
“Do të jetë SPAK ai që do e arrestojë. Do të jetë drejtësia ajo që do të vendosë”, u shpreh ai gjatë fjalës së mbajtur në protestë.
Në shesh u dëgjuan thirrje dhe u shfaqën pankarta me mesazhe të ndryshme, mes tyre:
- “Atdheu nuk është në shitje”
- “Edi Rama jep dorëheqjen”
- “Rama në burg, Berisha në burg”
Një pjesë e protestuesve deklaruan gjithashtu se lëvizja e tyre nuk është kundër Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se shqiptarët mbeten një popull me orientim pro-amerikan.
Protesta vijoi me marshim drejt godinës së Kryeministrisë, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se tubimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
