Ka nisur marshimi i qytetarëve drejt godinës së Kryeministrisë në kuadër të protestës së 27-të radhazi kundër qeverisë. Tubimi po zhvillohet në Tiranë, ndërsa pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Protestuesit deklarojnë se kërkesat e tyre nuk kufizohen vetëm te ndryshimi i qeverisë aktuale, por përfshijnë edhe reformimin e sistemit politik, të cilin e cilësojnë si “kastën e vjetër politike” që ka dominuar vendin për më shumë se tri dekada.
Si në mbrëmjet e mëparshme, qytetarët janë mbledhur fillimisht në qendër të kryeqytetit dhe më pas kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, duke shoqëruar protestën me pankarta, flamuj, thirrje dhe fjalime publike.
Pjesëmarrësit theksojnë se protesta zhvillohet në mënyrë paqësore dhe e konsiderojnë atë një formë të ushtrimit të së drejtës demokratike për të kërkuar llogaridhënie dhe ndryshim politik.
Organizatorët kanë bërë të ditur se protestat do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim, duke këmbëngulur se kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe zhvillimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme.
