Qytetarët e mbledhur në protestën e 27-të kundër qeverisë kanë nisur përgatitjet për marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të vijojë tubimi i përnatshëm.
Gjatë grumbullimit, pjesëmarrësit mbanin pankarta dhe flamuj, mes tyre edhe flamuj të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa shprehën mesazhe kundër qeverisë dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Një grup protestuesish deklaroi se mbështet marrëdhëniet me SHBA-në dhe theksoi se kundërshton çdo vendimmarrje që, sipas tyre, cenon interesat e vendit.
“Ne jemi populli më pro-amerikan në botë. Rama jep dorëheqjen. Me Shqipërinë mos bëj pazar,” u shprehën disa prej pjesëmarrësve, mes brohorimave të të pranishmëve.
Sipas organizatorëve, protesta e kësaj mbrëmjeje është e 27-ta radhazi dhe ka si kërkesa kryesore dorëheqjen e kryeministrit, largimin e qeverisë aktuale dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Tubimi po zhvillohet në mënyrë paqësore, ndërsa protestuesit pritet të marshojnë në rrugët kryesore të Tiranës përpara se të ndalen para godinës së Kryeministrisë.
