Rama reagon për protestat e Zvërnecit: “I kam dëgjuar flamingot, por nuk kuptoj pse nuk ndahen nga sorrat”

Data

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me protestat kundër projekteve zhvillimore në zonën e Zvërnecit dhe debatet e fundit pas rezolutës së miratuar nga Parlamenti Europian për Shqipërinë.

Në një postim të gjatë në platformën X, Rama përdori sërish metaforën e “flamingove”, me të cilën u është referuar protestuesve që kundërshtojnë ndërhyrjet në zonat e mbrojtura, duke deklaruar se i kupton shqetësimet e tyre, por nuk arrin të kuptojë pse, sipas tij, ata vazhdojnë të identifikohen me grupime që ai i quan “sorra” dhe “korba”.

Sipas kryeministrit, protestuesit janë keqinformuar mbi përmbajtjen e rezolutës së Parlamentit Europian dhe mbi amendamentet që u votuan në Strasburg.

“Flamingot fitoren e kanë pasur në xhep pa nisur protesta”, shkroi Rama, duke argumentuar se amendamenti që sipas protestuesve përfaqëson një fitore politike është rrëzuar, ndërsa amendamenti i miratuar nuk lidhet drejtpërdrejt me Zvërnecin apo peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë, por me zonën e mbrojtur Vjosë–Nartë.

Kryeministri theksoi se qeveria ndan të njëjtin qëndrim me eurodeputetët për mbrojtjen e zonave të ndjeshme ekologjike dhe se çdo rishikim i ligjit për zonat e mbrojtura do të zhvillohet në kuadër të procesit të negociatave me Bashkimi Europian.

Sipas Ramës, ndryshimet ligjore do t’i nënshtrohen një procesi analitik së bashku me Komisioni Europian, për të identifikuar çdo dispozitë që mund të mos jetë në përputhje me standardet europiane.

Në reagimin e tij, kreu i qeverisë kritikoi gjithashtu personat publikë dhe komentatorët që, sipas tij, po përdorin protestat për qëllime politike dhe po ushqejnë “histerinë digjitale”, duke paralajmëruar se fundi i asaj që ai e quan “revolucion imagjinar” mund të sjellë zhgënjim për mbështetësit e tij.

Debati mbi projektet turistike në zonat e mbrojtura dhe kërkesat për moratorium mbi ndërtimet ka qenë në qendër të protestave të zhvilluara javët e fundit në Tiranë, ndërsa rezoluta e fundit e Parlamentit Europian ka shtuar përplasjet politike mes qeverisë dhe opozitës për interpretimin e qëndrimit të Brukselit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related