Kryeministri Edi Rama e ka nisur vitin e ri me një ofensivë të hapur ndaj mediave kritike, duke sulmuar publikisht gazetarë me gjuhë fyese dhe intimiduese, në një përpjekje për të shmangur llogaridhënien për aferat korruptive që rëndojnë mbi qeverinë e tij.
Rasti më i fundit përfshin gazetaren Klodiana Lala, e cila u sulmua drejtpërdrejt nga kryeministri pas një komenti publik ku ajo ngrinte pyetje mbi përmbytjet dhe mosfunksionimin e inceneratorit të Tiranës, një projekt i promovuar personalisht nga Rama dhe aktualisht nën hetim për korrupsion.
Në vend që të japë përgjigje për çështjet e ngritura, kryeministri reagoi me etiketime denigruese, duke e cilësuar reagimin e gazetares si “injorancë ulëritëse”, shpifje dhe dezinformim. Gjuha e përdorur u konsiderua nga komuniteti i gazetarëve si bullizuese dhe intimidim i hapur ndaj medias.
Ky nuk është një incident i izoluar. Sulmi ndaj Klodiana Lalës vjen në vazhdën e përplasjeve të vazhdueshme të Ramës me gazetarë dhe drejtues emisionesh, ku përdor fotomontazhe, ironi personale dhe etiketime përçmuese, në vend të argumenteve dhe transparencës institucionale.
Organizatat për lirinë e medias reaguan ashpër, duke e dënuar sjelljen e kryeministrit si presion verbal ndaj gazetarëve dhe shkelje të standardeve demokratike. Sipas tyre, kjo mënyrë komunikimi nuk ndihmon informimin e publikut, por ushqen polarizimin dhe banalizon debatin publik.
“Gjuha bullizuese nga zyrtarë të lartë krijon një precedent të rrezikshëm dhe synon të frikësojë gazetarët që bëjnë pyetje”, thuhet në reagimet e shoqatave të gazetarëve, të cilat i bëjnë thirrje qeverisë të respektojë rolin kritik të medias dhe të japë llogari përmes fakteve, jo sulmeve personale.
Edhe Rrjeti për Gazetari të Sigurt e cilësoi sjelljen e Ramës si një tentativë të qëllimshme për të zhvendosur debatin publik nga temat reale – korrupsioni, përmbytjet, hetimet penale – drejt sulmeve personale ndaj gazetarëve, veçanërisht ndaj grave në gazetari.
Gazetarë dhe analistë theksojnë se problemi nuk janë pyetjet e medias, por mungesa e përgjigjeve. Sipas tyre, sulmet ndaj gazetarëve janë pjesë e një modeli të konsoliduar komunikimi, ku qeveria shmang përballjen me pyetje të drejtpërdrejta dhe zgjedh monologun, propagandën dhe intimidimin verbal.
“Detyra e një funksionari publik nuk është të edukojë median, por të japë llogari,” theksojnë përfaqësues të komunitetit mediatik, duke nënvizuar se sulmet personale nuk e dëmtojnë gazetarinë, por demokracinë.
Në këtë klimë, reagimet e kryeministrit nuk shihen si shpërthime emocionale të rastësishme, por si pjesë e një strategjie të qëndrueshme për kontrollin e narrativës publike, shmangien e pyetjeve dhe zbehjen e rolit të medias kritike.
