Ministri Gogu për deklaratat e Koçekut: Kërcënimet ndaj një deputeti cenojnë Kuvendin, institucionet duhet të veprojnë urgjentisht

Data

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar për herë të parë lidhur me deklaratat e deputetes Marjana Koçeku, e cila ka pretenduar publikisht se është kërcënuar nga grupi i Bajrave.

Në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, Gogu theksoi se një rast i tillë nuk duhet parë si çështje politike, por si një çështje që i përket shtetit të së drejtës dhe institucioneve ligjzbatuese.

Sipas ministrit, çdo sinjalizim për kërcënim, veçanërisht kur vjen nga një përfaqësues i zgjedhur i qytetarëve, kërkon reagim të menjëhershëm nga organet përgjegjëse.

“Kur një qytetar, aq më tepër një deputet, sinjalizon për kërcënim, ky nuk është lajm politik, por një çështje që i takon shtetit të së drejtës. Institucionet e ngarkuara me ligj duhet të zbatojnë urgjentisht detyrën e tyre”, u shpreh Gogu.

Ai nënvizoi se askush nuk duhet të jetojë nën presionin e kërcënimeve, ndërsa shtoi se hetimi i rastit i takon organeve kompetente, përfshirë Policinë e Shtetit dhe SPAK-un.

Ministri shprehu solidaritet me deputeten Koçeku, duke theksuar se kur një deputet ngre shqetësime të tilla, preket jo vetëm individi, por edhe vetë institucioni i Kuvendit.

“Kur një koleg deputet shpreh shqetësime të kësaj natyre, do të thotë se është cenuar edhe institucioni që ai përfaqëson. Ky është një rast që meriton vëmendjen e plotë të shtetit dhe duhet të hetohet me seriozitet”, deklaroi ministri i Drejtësisë.

Deklaratat e Gogu vijnë pas debatit të krijuar nga reagimet publike të Marjana Koçekut, e cila së fundmi ka pretenduar se familja e saj është kërcënuar, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related