Mbi 120 akademikë, studiues dhe intelektualë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në vende të ndryshme të botës kanë dalë publikisht në mbështetje të protestave qytetare në Shqipëri, duke shprehur solidaritet me kërkesat për një qeverisje më transparente, institucione më të forta dhe një model të ri zhvillimi për vendin.
Në një deklaratë të përbashkët, firmëtarët theksojnë se problemet që kanë nxitur protestat lidhen edhe me sfidat e arsimit, shkencës dhe inovacionit në Shqipëri. Sipas tyre, nënfinancimi i sektorit, mungesa e meritokracisë, ndërhyrjet politike dhe dobësimi i integritetit akademik kanë penguar zhvillimin afatgjatë të vendit.
“Pa arsim cilësor, pa kërkim shkencor serioz, pa inovacion dhe pa meritokraci, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm, ekonomi konkurruese apo institucione të forta demokratike”, thuhet në deklaratë.
Akademikët argumentojnë se mungesa e investimeve në dije dhe shkëputja e universiteteve nga zhvillimi ekonomik janë pjesë e së njëjtës krizë që qytetarët po kundërshtojnë në rrugë. Ata shprehin gjithashtu gatishmërinë për të kontribuar me ekspertizën e tyre në proceset e reformimit institucional dhe demokratizimit të vendit.
Ndërkohë, aktivistja shqiptare në Berlin, Oneda Vruzhaj, njoftoi se diaspora po organizon pjesëmarrje më të madhe në protestat e ardhshme. Sipas saj, më 20 dhe 23 qershor priten marshime të gjata nga Shkodra drejt Tiranës, ku do të bashkohen qytetarë dhe emigrantë të ardhur nga vende të ndryshme të Europës.
Vruzhaj tha se protestat kanë krijuar një frymë të re mobilizimi mes shqiptarëve jashtë vendit, veçanërisht tek të rinjtë, duke i nxitur ata të angazhohen më shumë për zhvillimet politike dhe shoqërore në Shqipëri.
Mbështetje për reagimin e akademikëve ka shprehur edhe ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Në një reagim publik, ai e cilësoi angazhimin e diasporës si një akt të rëndësishëm patriotik dhe demokratik.
“Nuk ka gjë më patriotike sesa kur ajka e kombit në diasporë shpreh gatishmërinë për ripërtëritjen demokratike, një model të ri politik, ekonomik e social për vendin”, u shpreh Bushati.
Ai theksoi se Shqipëria ka nevojë për një patriotizëm të ri që vendos në qendër demokracinë, sigurinë e qytetarëve, mundësitë e barabarta dhe një ekonomi të bazuar te dija, ndërsa vlerësoi kontributin e diasporës si të pazëvendësueshëm në procesin e ndryshimit dhe modernizimit të vendit.
Deklarata është firmosur nga 123 profesorë, studiues dhe kërkues shkencorë shqiptarë që jetojnë në Gjermani, Britaninë e Madhe, SHBA, Zvicër, Itali, Francë, Belgjikë, Austri, Holandë, Danimarkë, Norvegji dhe vende të tjera, duke e kthyer atë në një nga reagimet më të gjera të diasporës akademike shqiptare në vitet e fundit.
