Gazetari investigativ Artan Hoxha ka rikthyer në vëmendje takimin e shumëdiskutuar të zhvilluar në ishullin Aruba, një ngjarje që tashmë është përfshirë në hetimet e SPAK-ut për një rrjet të dyshuar të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pastrimit të parave.
Në një intervistë, Hoxha tregoi se kishte mësuar për ekzistencën e këtij takimi që në vitin 2021, gjatë një dëshmie në Prokurorinë Federale të Belgjikës lidhur me hetimet për platformën e koduar Sky ECC.
Sipas tij, autoritetet belge i kishin bërë me dije se në Aruba ishte zhvilluar një takim ku dyshohej se kishin marrë pjesë figura të rëndësishme të krimit të organizuar shqiptar dhe persona të lidhur me botën e biznesit.
“Një oficer i policisë gjyqësore belge më pyeti nëse kisha dëgjuar për një takim në Aruba. Më tha se dyshohej se aty kishin qenë disa nga figurat më të rëndësishme të krimit të organizuar shqiptar. Më treguan materiale dhe disa emra që përmendeshin në informacionet e tyre”, u shpreh Hoxha.
Gazetari tha se, sipas të dhënave që kishte siguruar më vonë, në takim kanë marrë pjesë persona të ardhur nga vende të ndryshme, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Panamanë. Ai shtoi se Aruba ishte zgjedhur si vendtakim për shkak të lehtësive të lëvizjes dhe interesave të përbashkëta të pjesëmarrësve.
Hoxha deklaroi se, sipas informacionit që disponon, në takim kanë qenë të pranishëm edhe dy persona me lidhje politike në Shqipëri.
“Nga sa kam mësuar, aty ka qenë një person që në atë kohë ushtronte funksionin e deputetit dhe një tjetër që konsiderohej shumë i afërt me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit paraqitej si një person që mund të ndihmonte në aspektet administrative dhe institucionale të projekteve të biznesit që diskutoheshin”, tha gazetari.
Sipas Hoxhës, temat kryesore të diskutimit nuk lidhen vetëm me çështje kriminale, por edhe me projekte biznesi në sektorët e turizmit dhe ndërtimit, veçanërisht në zonën e Vlorës.
Ai shtoi se një prej pjesëmarrësve i kishte pohuar se takimi kishte pasur karakter biznesi dhe investimesh, ndërsa kishte mohuar çdo lidhje me aktivitetet e trafikut të drogës.
Takimi i Arubës mbetet një nga episodet më të përfolura në dosjet e fundit të drejtësisë, ndërsa hetimet e SPAK-ut vijojnë për të verifikuar rolin dhe përfshirjen e personave të ndryshëm që dyshohet se kanë marrë pjesë në të.
