Deputetja Marjana Koçeku ka reaguar publikisht për çështjen e shembjeve të ndërtimeve pa leje në Theth, duke shprehur pendesë për mbështetjen që i kishte dhënë më herët aksionit të qeverisë dhe duke u kërkuar falje banorëve të zonës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Koçeku e cilësoi ngjarjen si një nga momentet më të vështira që ka përjetuar, duke pranuar se reagimi i saj i atëhershëm ka shkaktuar zhgënjim te shumë banorë të Thethit.
“I kërkoj falje prej zemre Thethit. Ajo ngjarje ka qenë ndër goditjet më të mëdha emocionale që kam marrë në jetën time”, shkruan deputetja.
Koçeku rrëfen se përjetoi emocionalisht situatën e krijuar gjatë aksionit për prishjen e objekteve pa leje, duke theksuar se ngjarja përbënte një nga krisjet e para në raportin e saj me Partinë Socialiste.
Në mesazhin e saj, ajo premtoi se në vijim do të jetë më pranë banorëve të zonës dhe do të mbrojë interesat e tyre.
“Betohem se do t’ju përfaqësoj si duhet. Askush nuk do të mund t’i fyejë më ato male dhe atë trashëgimi siç është bërë deri më sot”, u shpreh ajo.
Deklarata e Koçekut vjen në një moment kur marrëdhëniet e saj me mazhorancën janë tensionuar ndjeshëm pas largimit nga grupi parlamentar socialist dhe pozicionimeve të saj të fundit në debatin publik.
Çështja e shembjeve në Theth ka qenë një nga temat më të diskutuara gjatë muajve të fundit, duke shkaktuar reagime të forta nga banorët, aktivistët dhe opinioni publik lidhur me mënyrën e zbatimit të aksionit dhe pasojat e tij për komunitetin lokal.
